Rrjeti i Përgjegjësisë Shoqërore Korporative i Kosovës anëtarësohet në CSR Europe

Prishtinë, 01 Qershor 2012 - Rrjeti i Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatave (PShK) në Kosovë i themeluar me iniciativë të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, është bërë pjesë e Rrjetit të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative të Evropës (CSR Europe). Ky vendim i rëndësishëm në aspektin e integrimit të mëtejmë të organizatave kosovare në strukturat evropiane është marrë nga ana e Bordit të CSR Europe vetëm një muaj pas aplikimit të Rrjetit të PShK-së të Kosovës për anëtarësim.

Rrjeti i Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatave (PShK) në Kosovë është themeluar më 21 Prill 2011 nga liderët e bizneseve të dalluara Kosovare dhe ndërkombëtare të cilët ishin të përkushtuar për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për PSjK-në dhe të përfshijnë praktikat më të mira të PShK-së në kompanitë e tyre. Rrjeti i cili momentalisht funksionon në kuadër të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë synon të zgjerohet dhe të bëhet një rrjet stimulues për të tërhequr biznese të reja në promovimin e PShK-së përreth Kosovës.

Rrjeti i PShK përbëhet nga gjashtëmbëdhjetë (16) anëtarë: Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, AVC, Universiteti Amerikan në Kosovë, Qendra për Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekzekutiv në Kosovë (CEED), ProCredit Banka, Raiffeisen Banka, Meridian Corporation, Fondi Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF), Marigona Residence, SharrCem, KOSTT, PR Solutions, Dukagjini Group, Ferronikeli Complex, BU & Partners, dhe Coca Cola Hellenic.

Rrejti PSHK kërkon të jetë plotësisht në pajtim me Dhjetë Parimet e “Compact Global” e cila është një kornizë e bazuar në parime për bizneset, duke deklaruar dhjetë parimet në fushat për të drejtat e njeriut, mjedisit dhe anti-korrupsionit. Mbrojtja e të drejtave të njeriut të njohura ndërkombëtarisht, eliminimi i punës së fëmijëve, promovimi i projekteve miqësore për mjedisin, eliminimi i diskriminimit në raport me punë dhe profesion, dhe promovimi i vlerave të anti-korrupsionit janë vetëm disa nga fushat që Rrjeti synon t’i adresojë.