ATK prezantoi produktin e ri elektronik – Vërtetimi Tatimor

Administrata Tatimore e Kosovës, vazhdimisht është në përpjekje që të ofroj lehtësira më të mëdha për tatimpagues.  Tani mundëson edhe një shërbim të ri elektronik “on-line”, ku përmes veb-faqes së ATK-së, mundësohet pajisja me Vërtetim Tatimor për Personat Fizik.

ATK ka siguruar se Vërtetimi Tatimor i lëshuar në formë elektronike nga ATK, do të jetë dokument i plotëfuqishëm, ndërsa vërtetësia e përmbajtjes së këtij dokumenti, do të mund të verifikohet përmes adresës elektronike  të ATK-së evertetimi.atk-ks.org.

Vërtetimi Tatimor është dokument i cili tregon gjendjen aktuale tatimore të tatimpaguesit, i lëshuar nga ATK dhe i cili do të shfrytëzohet për qëllime të ndryshme, si: Aplikim për vizë; Lirim nga shtetësia; Vazhdim i lejes së qëndrimit në Kosovë; Pushim të lehonisë; etj.

Një vërtetim i tillë do të lëshohet varësisht nga gjendja e tatimpaguesit në ATK dhe atë, me njërën nga këto tri arsyeje:

  • Personi është i regjistruar në ATK dhe NUK ka borxhe aktuale tatimore të pashlyera apo obligime tjera tatimore;
  • Personi është i regjistruar në ATK dhe KA borxhe tatimore apo obligime tjera tatimore të pa shlyera dhe
  • ATK nuk ka shënime për personin.